Përfaqësuesit e bizneseve takojnë Hotin: Masat e reja mbyllin 80% të aktivitetit ekonomik në Prishtinë

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Avdullah Hoti me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane. Pas takimit kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, tha se do të ketë masa më strikte dhe do të ketë ndarje të qyteteve në tri zona.

Ai tha se Prishtina është në zonën e kuqe, e që tha se parashihet mbyllje të 80 përqind të aktivitetit ekonomik.

Ai tha se para kryeministrit kane paraqitur shqetësimin për mundësinë e një mbylljeje të re dhe se kanë kërkuar vazhdim të mbështetjes financiare për bizneset.

“Janë edhe ato që janë parë në media, do të thotë kemi një ndarje me tri zona, e kuqe, e gjelbër dhe e verdhë, por ajo që është shqetësuese është se Prishtina është në zonën e kuqe dhe shumica e aktivitetit ekonomik është në Prishtinë dhe pak a shumë në Prishtinë ka qenë e planifikuar apo është ende e planifikuar për shkak se drafti ashtu e parasheh mbyllje të mbi 80 përqind të aktivitetit ekonomik. Tani pas këtij takimi jemi si me thënë më optimistë, më të relaksuar në kuptimin e asaj se do të rikonsiderohet edhe një herë pjesa, sidomos që lidhet me tregtinë me pakicë dhe shumicë”, tha ai.

Rukiqi tha se me vendimin për masa të reja që pritet të kumtohen në ora 12:00 nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, parashihen kufizime më strikte.

“Mbyllje do të ketë, po mendoj mbyllje mos ta quajmë tash edhe mbyllje në kuptimin klasik, do të ketë kufizime të reja, kufizime më strikte sesa këto që i kemi. E mira është që së paku po na japin kohë në kuptim të përgatitjes do të komunikohen sot dhe do të hyjnë në fuqi gjatë ditës së shtunë. Po megjithatë mbetet ende një hapësirë e rishikimit të masave të propozuara në mënyrë që të mos dëmtohet aktiviteti ekonomik”, tha ai.

Ai tha se i kanë treguar kryeministrit që një mbyllje e re është e papërballueshme për ekonominë e vendit.

“Ka qenë pothuajse një konsensus në mesin e shoqatave të biznesit që një kufizim i ri i aktivitetit biznesor është pothuajse i papërballueshëm për shumicën e sektorëve. Nuk patëm si të them premtim konkret, po megjithatë patëm një mirëkuptim të kryeministrit që do të rishikojë edhe një herë vendimin i cili është propozuar nga Ministria e Shëndetësisë në mënyrë që të gjendet një farë mesi që të ruhet shëndeti publik që është para së gjithash prioritet për të gjithë, po në të njëjtën kohë edhe të mos dëmtohet në masë të madhe aktiviteti ekonomik”, tha ai.

Ai tha se ka pasur paralajmërim se rezistenca ndaj masave është në rritje, për çka tha se kjo është kuptuar edhe nga kryeministri Hoti.

Rukiqi deklaroi se format që mund të gjenden nga sektorë të ndryshëm për të shprehur këtë kundërshti ndaj masave mbetet për t’u parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *