Përurohet objekti i ri i QMF-së në lagjen ” Arbana”

Të premten është përuruar objekti i ri i Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen ” Arbana”, ku përveç banorëve të saj në këtë institucion do të marrin shërbime mjekësore edhe banorë të disa fshatrave periferike të Prizrenit.

Banorët e lagjes ” Arbana”, Shahe Kasolli dhe Hashim Kelmendi, e kanë vlerësuar tejet të rëndësishëm vënien në funksion të objektit të ri të QMF-së në lagjen e tyre, dhe kanë patur një kërkesë konkrete që në këtë objekt atyre të iu mundësohet edhe marrja e infuzioneve.

Në përurimin solemn të objektit të ri, ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të komunës së Prizrenit, ministrisë së Shëndetësisë si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tregoi për arsyet e ndërtimit të këtij objekti të ri shëndetësor në këtë lagje, duke shtuar ky objekt posedon standarte të larta për shërbime cilësore për qytetarët.

Zv/ministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, gjithashtu e vlerësoi të rëndësishëm realizimin e këtij projekti, dhe ka vlerësuar angazhimin e drejtuesve të komunës së Prizrenit për të ngritur kapacitetet e Kujdesit Parësor Shëndetësor në shërbim të qytetarëve.

Ndërkaq, drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Arënliu- Hoxha dhe drejtori i QKMF-së, Xhevat Elezkurtaj, thanë se në këtë objekt të ri do të ofrohen shërbime efikase me aktivitete shtesë nga pofesionistët shëndetësor.

Këtë projekt e vlerësoi të rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli, i cili jeton në këtë lagje.

Ndryshe, punimet në ndërtimin e objektit të ri i cili është ndërtuar në vendin ku ka qenë objekti i vjetër, kanë filluar me 30 shtator të vitit 2020, ndërsa kostoja e realizimit të tij kap shumën e 183 mijë eurove./Tv Prizreni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *