Policia godet fajdexhinjtë: Tetë të arrestuar në Pejë, Gjakovë dhe Prizren
Policia e Kosovës ka njoftuar se në tri raste të ndara, në tri rajone, ka arrestuar tetë persona nën dyshimin e bazuar të kryerjes së veprave penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatën përkatëse, pas hetimeve intensive të kryera ndaj të dyshuarave të përfshirë në veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, më 15.09.2021, 16.09.2021 dhe 17.09.2021 në tre raste të ndara, në tri rajone Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ka realizuar operacione policore ku janë arrestuar në flagrancë tetë të dyshuar.
“Në këto operacione policore janë arrestuar H.T., (1967), A.V.(1964), A.Ç. (1979), Rr.B.(1971), B.M. (1966), E.M. (1990), B.M. (1981) dhe S.M. (1970)”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
“Bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, në tri rajone, në gjithsej tetë lokacione, janë bërë kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave materiale që lidhen me rastet”.
Sipas Policisë, gjatë operacioneve janë sekuestruar 44,150 euro para kesh, në llogaritë e të dyshuarave janë ngrirë mbi 61,000 euro, dy revole, një pushkë e gjuetisë, 106 fishekë (kalibra të ndryshëm), tri vetura, fletore dhe dokumente të ndryshme relevante për rastet dhe shtatë telefona.
Të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.