Policia në Prizren identifikon ngasësit që vozitin pas skadimit të afatit të regjistrimit, që përdorin telefonat, e kundërvajtje tjera në komunikacionin rrugor
Drejtoria rajonale e Policisë Prizren bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në kuadër të menaxhimit dhe kontrollin e trafikut rrugor ka shtuar dinamikën e veprimeve dhe ndërmarrjen e masave me qëllim të përmirësimit të sigurisë rrugore dhe uljes së numrit të aksidenteve në trafikun rrugor.
Në kuadër të kësaj Drejtoria rajonale e Policisë Prizren në vazhdën e implementimit të planeve operative ,,Siguria në trafikun rrugor” ka vazhduar me patrullime me veturën me pajisje inteligjente, veturë e cila bënë identifikimin e kundërvajtjeve të ndryshme në trafik në bazë të pajisura me sensorë e radarë të cilat gjatë lëvizjes së veturës monitorojnë rrugën, identifikojnë kundërvajtësit duke bërë matjen e shpejtësisë se mjeteve në lëvizje në këndin 360 shkallë, skadimit të afatit të regjistrimit, përdorimi i telefonit, e kundërvajtjeve tjera në komunikacionin rrugor duke dërguar të dhëna në kohë reale në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës.
Gjatë patrullimit me këtë automjet që nga data 21.12.2023 deri me 03.01.2024 janë identifikuar dhe shqiptuar treqind e trembëdhjetë (313) gjoba, nga të cilat njëqind e dyzet e pesë (145) gjoba janë shqiptuar vetëm për skadim të afatit të regjistrimit të mjetit, tejkalim i shpejtësisë tetëdhjetë e shtatë (87) gjoba, vozitje pa patentë shoferi tetëmbëdhjetë (18) gjoba, përdorim i telefonit celular gjatë ngasjes pesëmbëdhjetë (15) gjoba e kundërvajtje të tjera, kundërvajtje këto të identifikuara përmes pajisjeve inteligjente të automjetit.
Drejtoria rajonale e Policisë Prizren apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë ligjin për rregullat në trafikun rrugor pasi që siguria në trafik është përgjegjësi e jona kolektive.