Prizrenasit s’i binden vendimit të Qeverisë për ndalimin e dasmave, ndërhyn policia
Policia ka njoftuar se ka ndërprerë dy dasma në rrugën Prizren-Landovicë, pasi organizatorët nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë i cili ndalon mbajtjen e dasmave dhe ahengjeve tjera, nga sot deri më 1 shtator
“Gjatë inspektimit dhe kontrollimit në rrugën Prizren-Landovicë, në dy salla të dasmave policia ka vërejtur se kanë organizuar dasma në kundërshtim me vendimin e Qeverisë përkatësisht neni 18 i vendimit ku thotë:” Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës””, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e policisë është bërë e ditur se lidhur me këtë rast janë informuar edhe inspektorët, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shpërndarë dasmorët.
“Për këtë, janë informuar Inspektoret të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të urdhrit të Inspektorit, dasmat janë ndaluar dhe janë shpërndarë dasmorët. Në lidhje më këtë për organizimin në kundërshtim të vendimit të Qeverisë janë shqiptuar dënime nga ana e Inspektorëve”, ka bërë të ditur policia.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar masat e reja anti-COVID, të cilat kanë hyrë në fuqi sot.