“Pse s’po lajmërohesh me kohë”, prizrenasi e rrëzon në tokë gruan, e pështynë dhe e godet, pas saj i rreh edhe vajzat
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për A.H., nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzave
I dyshuari është arrestuar më 20 korrik, ka bërë të ditur Gjykata Themelore e Prizrenit.
“Me datë 20 korrik, në orët e mëngjesit në Prizren, në shtëpinë e tij familjare me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve paraprake bashkëshortore, i pandehuri e pështynë në fytyrë duke i thënë fjalët “pse nuk po lajmërohesh me kohë” dhe në ato momente e kapë viktimën dhunshëm dhe e rrëzon për toke, dhe duke e mbajtur e godet me grushte në pjesën e kokës dhe të qafës, si dhe e tërheqë për flokësh, kështu duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Po ashtu, i dyshuari ka ushtruar dhunë dhe keqtrajtim fizik e psikologjik ndaj vajzave, e po ashtu, në prezencë të tyre ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
“Gjithashtu i pandehur A.H., me dashje kryen dhunën dhe keqtrajtimin fizik e psikologjik ndaj të dëmtuarve – vajzave të tij, ashtu që të njëjtat shohin babanë e tyre duke ushtruar dhunë fizike ndaj nënës, të dëmtuarat fillojnë të qajnë dhe në ato momente i pandehuri i sulmon të njëjtat duke i goditur me shuplaka fytyrës, me ç’ rast tek të dëmtuarat shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri”, ka bërë të ditur Gjykata.
“Nga të lartë cekurat gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, sjellja e të pandehurit dhe këmbëngulësia që me çdo kusht ta përfundojë veprën e filluar, shfaqin rrezikun se me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të përsërisë veprën penale, andaj sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.