Sindikata me shifra alarmante, tregon numrin e punonjësve shëndetësorë që janë prekur nga Omicroni

Më shumë se 1,170 punonjës shëndetësorë në Kosovë janë të infektuar me variantin Omicron të koronavirusit.

Prej tyre, 700 janë infermierë, 290 mjekë dhe 280 pjesëtarë të stafit mbështetës, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

Sipas tij, në sektorin publik të shëndetësisë punojnë më shumë se 14 mijë punonjës – çfarë do të thotë se mbi tetë për qind e tyre janë të infektuar.

Syla thotë se izolimi i tyre krijon “mungesa jashtëzakonisht të mëdha” në ofrimin e shërbimeve.

Sipas rregullave të nxjerra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, personi që rezulton pozitiv me koronavirus, mund ta zvogëlojë izolimin nga dhjetë ditë në shtatë, nëse rezulton negativ dy herë me test PCR ose me test të shpejtë.

Testet duhet të kryhen në ditën e 6-të dhe në ditën e 7-të nga diagnostikimi, me një diferencë kohore prej 24 orësh.

Për punëtorët shëndetësorë, sipas rregullave të IKSHPK-së, vetizolimi mund të shkurtohet në pesë ditë, nëse i infektuari rezulton negativ një herë me test PCR ose me test të shpejtë.

Ditëve të fundit, në Kosovë janë shënuar shifra të larta të të infektuarve me koronavirus, të papara në ndonjë fazë tjetër të pandemisë.

Të premten, janë konfirmuar 3,617 raste të reja dhe katër viktima.

Numri i rasteve aktive ka kaluar 31,000. Prej tyre, 157 veta janë të shtrirë në spitale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *