Sot ka filluar shqyrtimi gjyqësor në rastin e shpërthimit në Zhur, ku mbeti i vdekur një polic dhe u lënduan tre të tjerë
Sot ka filluar shqyrtimi gjyqësor për rastin e shpërthimit në Zhur, ku mbeti i vrarë polici Sami Thaçi dhe lëndime të rënda trupore pësuan edhe policët Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi.
Të akuzuar për këtë rast janë Iran Badalli, Arben Gashi, të cilët po akuzohen për bashkëkryerje në veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Badalli dhe Gashi akuzohen se më datë 28 janar 2020, me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, çka edhe ka shkaktuar vdekjen e zyrtarit policor Sami Thaçi dhe lëndime trupore të personave të tjerë.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020, ishin furnizuar me mjet eksplodues nga Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin mjet e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve, në katin e dytë të shtëpisë së Iran Badallit, çka edhe shkaktoi vdekjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës.
Në natën kritike të 28 janarit 2020, pas një kontrolli të autorizuar nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në kontakt me mjetin eksplodues ra polici Sami Thaçi, i cili edhe humbi jetën si pasojë e shpërthimit të këtij mjeti.
Ndërsa, lëndime të rënda trupore, me pasoja të përhershme pësuan policët Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi.
Gazeta Sinjali mëson se përveç mjetit eksplodues, nga i cili kanë pësuar 4 zyrtarë policorë, në shtëpinë e të akuzuarit Badalli është gjetur edhe eksplozivi “TNT”, në peshë prej 809.1g dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës, në gjatësi prej 63 cm.