Varësia nga droga: Një i ri kapet me substanca narkotike në oborrin e Spitalit Rajonal në Prizren

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në oborrin e Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku është arrestuar një person i cili është kapur me drogë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 19-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe gjësende tjera të cilat përdoren për konsumimin e drogës.

I riu është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *