Vashat e Kosovës e presin në Prishtinë kampionen evropiane dhe nënkampionen botërore
Ekipi kombëtar i vashave i Kosovës do të përballet sot me kampionen evropiane dhe finalisten e Kupës së Botës, Holandën, në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2021.
Kosova është nikoqire e Holandës në stadiumin Fadil Vokrri, për ndeshjen e xhiros së nëntë të Grupit A kualifikues, që nis në orën 19:00, raporton Gazeta Express.
Kjo është përballja e parë e vashave të Kosovës me ato të Holandës, të cilat janë kampione evropiane në fuqi dhe vitin e kaluar e arritën finalen e Kupës së Botës.
Holanda vjen në këtë takim si favorite e madhe dhe pa asnjë presion, për shkak se tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në Euro 2021, pasi i fitoi tetë ndeshjet e para në grup.
Vashat e Kosovës po marrin pjesë për herë të parë në kualifikime për Kampionatin Evropian dhe nuk e kanë pothuajse asnjë gjasë të sigurojnë një vend në play-off.
Dardanet renditen në pozitën e katërt me 10 pikë, 14 më pak se liderja Holanda dhe pesë më pak se Rusia në pozitën e dytë.
Vendi i parë kualifikohet automatikisht, ndërsa vendi i dytë e siguron play-offin.
Në shtatë ndeshje deri tani në grup, Kosova i ka tri fitore, një barazim dhe 3 humbje.