Vizat- Këtë janar rreth 52 mijë udhëtarë më shumë në Aeroport se në vitin e kaluar në periudhën e njëjtë

Nga të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në 31 ditët e para të këtij viti nëpër këtë aeroport qarkulluan 287,205 udhëtarë apo 51,629 më shumë se në janarin e 2023-ës kur aeroportin e shfrytëzuan 235,576 qytetarë.

Kështu dyndja e qytetarëve u rrit për 21.9 për qind në krahasim me vitin e shkuar me gjithsej 996 fluturime më tepër për periudhën e njëjtë më 2023, njofton Klan Kosova.

Rritje të hyrje-daljeve pati edhe nëpër pikat kufitare të vendit. Në të dhënat e Policisë së Kosovës nga 1 deri më 23 janar 2024 në Kosovë përmes kufijve e aeroportit hynë 653,723 udhëtarë e dolën 805,250.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kjo shifër ishte për 90 e 500 më pak se sivjet apo 563,219 udhëtarë. Teksa vjet në 3 javët e para të janarit dolën 688,725 qytetarë apo 117,500 më pak se sivjet.

Demografët e shohin normale këtë rritje të qarkullimit nga vendet ku bëhet liberalizimi.

Shtetasit kosovarë nga ky fillimvit mund të udhëtojnë për qëllime turistike e vizita por pa mundësi punësimi apo studimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *