“Vrasja nga pakujdesia” e 67-vjeçares ne Suharekë, gjykata merr vendim për të dyshuarin

Një aksident trafiku i ndodhur javën e kaluar (29 qershor), në Suharekë ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e një gruaje 67-vjeçare. Sipas policisë, viktima nuk ka vdekur nga lëndimet e marra në aksident por pas fjalosjes me të dyshuarin, i njëjti e ka shtyrë viktimën e cila më pas ka vdekur.

Rasti është cilësuar si “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji.

Lajmin për medie e ka konfirmuar Fitore Mehmeti, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se, me datë 30.06.2023 pranë Gjykatës Themelore në Prizren – Dega Suharekë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.B., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, tha Mehmeti.

Tutje, e njëjta tha se për shkak se rasti ndodhet në fazën e hetimeve, “nuk mund t’ju japim detaje të tjera”.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka dhënë detaje se si ka ardhur deri te aksidenti.

“Është raportuar për një aksident trafiku mes dy, policia ka dalë ne vendin e ngjarjes ka qenë një viktimë femër e vitit të lindjes 1956. Pasi që është bërë rishikimi i provave është vërtetuar se viktima nuk ka vdekur nga lëndimet në aksident dhe nuk dihen shkaqet e vdekjes. Por sipas hetimeve të parë është arrestuar i dyshuari pasi dyshohet se pas aksidentit i dyshuari ka dalë nga automjeti, janë fjalosur dhe e ka shtyrë viktimë dhe pastaj viktima ka vdekur. Viktima ka qenë pjesëmarrëse në aksident”, ka thënë ai

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *