Mbrojtja do të parashtrojë kërkesë për hudhjen e aktakuzës ndaj të akuzuarve se me dokumente të falsifikuara përfituan mbi 1 milionë euro
Në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e së martës, mbrojtësit e të akuzuarve Gent Pupa, Shahin Skeja dhe Bekim Syla, avokatët Naim Rudari, Arianit Koci dhe Arbër Guta, kanë deklaruar se do të parashtrojnë në formë të shkruar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Kompania “NABS” Sh.p.k në cilësinë e personit juridik si dhe të akuzuarit Pupa, Skeja dhe Syla, po akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Pupa, avokati Arianit Koci ka thënë se kërkesën për hudhje të aktakuzës e ka dorëzuar me shkrim, mirëpo nuk e di arsyen se përse e njëjta nuk është dorëzuar tek gjykatësi Luan Berisha.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Skeja, avokati Arbër Guta ka thënë se kërkesën për hudhje të aktakuzës e ka dorëzuar me postë në këtë gjykatë, më 16 shtator 2022.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Naim Rudari ka thënë se më 16 shtator 2022, ka parashtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe për këtë ka edhe vulën e pranimit nga ana e gjykatës, por sipas tij nuk është e qartë pse e njëjta nuk është dorëzuar tek gjyqtari i çështjes.
Gjykatësi Berisha tha se nuk posedon asnjërën nga kërkesat e parashtruar nga avokatët Koci, Guta dhe Rudari.
Gjithashtu, prokurorja Merita Kurteshi-Gaka tha se nuk posedon asnjë lloj kërkese për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave nga asnjë i akuzuar.
Andaj, ajo ka kërkuar që të njëjtat t’i dorëzohen me shkrim.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku ka thënë se e mbështet në tërësi deklarimin e prokurores Gaka.
Pas kësaj, gjykatësi Berisha ka kërkuar nga mbrojtësit e të akuzuarve që t’i parashtrojnë në formë të shkruar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në afatin 3 ditor.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 28 shtator 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit “NABS” SH.P.K në cilësinë e personit juridik dhe personat përgjegjës Gent Pupa dhe Shahin Skeja po akuzohen se më 26 qershor 2020, në kuadër të veprimtarisë afariste, kanë paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në procedurën e prokurimit, me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, ku si autoritet kontraktues ka qenë Kuvendi Komunal i Prizrenit.
Po ashtu, aktakuza thotë se ata kanë prezantuar faturën fiktive me numër 1052020, e datës 1 maj 2020 kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 punëtorë të punësuar, me ç’ rast përfitojnë 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë, në të cilën shumë akuzohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.
Me këto veprime, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par. 3, lidhur me par. 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje, sipas aktakuzës “NABS” SH.P.K, Gent Pupa dhe Shahin Skeja po akuzohen se më 26 qershor të vitit 2020, përmes personave përgjegjës- pronarëve Gent Pupa dhe Shahin Skeja, në kuadër të veprimtarisë afariste, përdorë dokumentin e falsifikuar si original, ashtu që paraprakisht merren vesh me personin juridik- të pandehurin “CONS ENG” SH.P.K, lëshon faturën me përmbajtje të rreme, me përshkrim: “1.shenja standarde të trafikut, 2. Karrocë sinjalizuese për devijim të qarkullimit, 3. semafor mobil për menagjimin e trafikut në rast të bllokimit të një shiriti qarkullues Ecoquartz”, kinse ky subjekt ia shet të pandehurit “NABS” sh.p.k këto pajisje.
Me këto, veprime po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, sipas kësaj aktakuze i pandehuri “‘CONS ENG” SH.P.K dhe Bekim Syla si person përgjegjës dhe pronar, po akuzohen se më 26 qershor 2020, pérmes personit përgjegiës- pronarit Bekim Syla, në kuadër të veprimtarisë afariste, ndihmon të pandehurit Gent Pupa dhe Sahin Skeya, si pronar dhe persona përgjegjës të personit juridik “NABS” SH.P.K, ashtu që këtij të fundit i lëshon faturën me numër 1052020, të datës 1 maj 2020 me përmbajtje të rreme, me qëllim të mashtrimit në procedurë të prokurimit.
Aktakuza thotë se atë dokument më pas të pandehurit: personi juridik “NABS” sh.p.k, Gent Pupa dhe Sahin Skeja, e prezantojnë me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, konkretisht në procedurën e prokurimit me numër 622-20-2058-2-1-1, me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, ku si autoritet kontraktues ka qenë Kuvendi Komunal i Prizrenit, me të cilin veprim i pandehuri iu ndihmon këtyre të përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë.
Me këto veprime, po akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Keqpëdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par. 3 lidhur me par. 1, lidhur me menin 33, të Kodit Penal nr. 06/L-074.
Gjithashtu, i pandehuri “CONS ENG” sh.p.k dhe Bekim Syla po akuzohet se më 1 maj 2020, përmes personit përgjegjës- pronarit Bekim Syla, në kuadër të veprimtarisë afariste, përpilon dokument të falsifikuar, ashtu që personit juridik- të pandehurin “NABS” sh.p.k, i lëshon faturën me numër 1052020, të 1 majit 2020, me përmbajtje të reme, me përshkrim: “I.shenja standarde të trafikut, 2. karrocë sinjalizuese për devijim të qarkullimit, 3. semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rast te bllokimit të nje shiriti qarkullues Ecoquartz”, kinse ky subjekt ia shet këto pajisje të pandehurit “NABS” sh.p.k, e cila përfiton lidhjen e kontratës me Kuvendin Komunal të Prizrenit të 22 shkurtit 2021, në shumën prej 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë.
Me këto veprime, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, paragrafi 1 të Kodit Penal nr.06/L-074. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.