Vodhi në vlerë të 7 mijë e 200 eurove, gjykata merr vendim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit L.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: vjedhja e rëndë dhe mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve.

“Me datë 10 janar 2020, pas mesnate në Prizren, në objektin e personit juridik – biznes të pajisjeve teknologjike, në bashkëveprim edhe me dy (2) persona të tjerë deri më tani të paidentifikuar – të gjithë të maskuar, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm, depërtojnë me forcë duke kaluar pengesat e krijuara, në atë mënyrë që, derisa biznesi në fjalë ishte i mbyllur, shfrytëzojnë momentin e volitshëm, thyejnë xhamin në afërsi të derës hyrëse, futen brenda nga ku arrijnë të marrin: Një (1) monitor të kompjuterit: Nëntë (9) telefonë ‘demo’; dhe Tre (3) tabletë, dhe me të shpejtë me veturën e tyre largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, me ç’ rast të dëmtuarit – personit juridik i shkaktojnë dëm material në shumën prej 7.200 € (shtatëmijë e dyqind euro).

– Se me datë, kohë dhe vend te njëjtë, i njëjti në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e zjarrit dhe atë: një pistoletë të tipit TT, – prodhim rus me një (1) karikator brenda saj dhe tetë (8) fishekë të kalibrit 7.62 mm e cila armë, të pandehurit aksidentalisht i ka rënë nga brezi duke u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprës penale të përshkruara si në dispozitivin paraprak të këtij aktvendimi, me ç’ rast e njëjta edhe është sekuestruar përkohësisht”, thuhet në njoftimin dërguar mediave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *