Bie paga mesatare në Kosovë, qeveritë lanë në ”baltë” sektorin privat

Paga mesatare në Kosovë pati rënie gjatë vitit 2020. Njohës të ekonomisë thonë se sektori privat e pati të pamundur të ruajë vendet e punës dhe pagat e njëjta, teksa apelojnë qeverinë që të punojë drejt eliminimit të dallimeve mes dy sektorëve.

Sipas Agjencisë së Statistikave në Kosovë (ASK), del se paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020 ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro. Pra, kishte një rënie prej 31 euro. Ndërsa, paga mesatare neto për vitin 2020 ishte 342 euro, krahasuar me vitin 2019 që ishte 372 euro. Pra, një rënie prej 30 eurosh.

Ndërkaq, paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2019, sipas ASK-së, ishte 584 euro, derisa, në vitin 2020 ishte 624 euro, duke shënuar një rritje prej 44 euro. Ndërsa, paga mesatare neto nga 519 euro, sa ishte në vitin 2019, u rrit në 552 euro në vitin 2020. Një rritje prej 33 eurosh.

Sipas ASK-së, te sektori publik, rritja e pagës bruto dhe neto, krahasuar me vitet paraprake, ka ardhur për arsye të përfitimit të shtesave në sektorët specifikë.

Njohës të ekonomisë thonë se bizneset e kanë pasur të pamundur që t’i mbajnë pagat e njëjta për shkak të mbylljes dhe reduktimit të aktivitetit të bizneseve, por edhe për shkak të mungesës së mbështetjes së shtetit.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi thotë se vazhdimisht kanë këshilluar qeverinë që të reagojë në mbështetje të bizneseve të sektorit privat, pasi këta të fundit e kishin të pamundur që të mbajnë gjendjen dhe numrin e njëjtë të punëtorëve dhe me paga të njëjta.

“Biznesi e ka pasur të pamundur t’i mbajt pagat e njëjta, po as shteti e qeveria nuk i ka mbështetur punëtorët që t’i mbajnë në vendet e punës. Ndërkohë që institucionet e Kosovës, pavarësisht se a ka punuar apo s’ka punuar sektori publik, i cili pothuajse 80 përqind të kohës nuk ka punuar fare, ka vazhduar të marrë paga të plota dhe kanë vazhduar të marrin një pjesë e sektorit edhe benefite shtesë për punë, që e ka rritur mesataren e pagës, e që nuk do të duhej të ndodhte. Do të duhej që të kishte një ndarje të barabartë të pagave si në sektorin publik dhe në sektorin privat, në mënyrë që qytetarët të jenë të barabartë”, thotë ai.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, thotë për KosovaPress, se sektori privat ka vuajtur pasojat e pandemisë gjatë tërë vitit të kaluar.

Ai thekson se ka pasur një ndikim edhe në sektorin publik me një jostabilitet të të hyrave buxhetore, por që kjo nuk i ka ndikuar as pagat dhe as vendet e punës në këtë sektor.

“Sektori privat ka vuajtur pasojat e pandemisë gjatë tërë vitit të kaluar deri vonë në këtë vit dhe kjo normalisht ka ndikuar që shumë kompani të ulin edhe pagat apo për shkak të një përformance më jostabile sa i përket qarkullimit dhe në përgjithësi indikatorëve tjerë, që të jenë më konservativ sa i përket mundësisë me i rrit pagat e punëtorëve dhe kjo normalisht është reflektuar edhe në mesataren e pagës… Kjo në sektor publik nuk ndodhë asnjëherë, pavarësisht krizave, ne e shohim që është sektor që vazhdon dhe, mirë që askush nuk e humb punën aty. Por, megjithatë është shqetësuese që në sektor privat ka pasur ndikime, fatmirësisht nuk janë vende të punës që janë permanent të mbyllura”,thotë ai, teksa shprehet optimist se humbja e vendeve të punës veç është rikuperu.

Paga mesatare në Kosovë pati rënie në vitin 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, e cila goditi rëndë sektorin privat si pasojë e mbylljes dhe reduktimit të aktivitetit të bizneseve, e ku janë pjesa dërrmuese e të të punësuarve në krahasim me numrin e përgjithshëm të të punësuarve në vend. Derisa në sektorin publik vërehet një rritje më e theksuar e pagës mesatare krahasuar me vitet paraprake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *