Kosova me pagën më të ulët minimale në Europë, pse dështoi rritja e saj?
Me gjithë rritjen e inflacionit, paga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar – edhe atë qysh në vitin 2011.
Vlera e kësaj page është 170 euro – sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, më e ulëta në Evropë.
Inflacioni, në anën tjetër, ka arritur në 7.5 për qind muajin e kaluar, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë në shkurt të vitit 2021.
Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, sipas Ligjit të punës, propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, e cila më pas kalon për miratim te Qeveria. Ai ka bërë përpjekje për rritjen e saj, por pa sukses.
E fundit është bërë këtë muaj, por anëtarët e Këshillit, që përfshijnë punëdhënës, përfaqësues të punëtorëve dhe zyrtarë të Qeverisë, thuhet se nuk janë pajtuar për shumën.
Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që është pjesë e Këshillit Ekonomik Social, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mbledhjen e fundit të Këshillit, të mbajtur më 10 mars, janë dhënë dy propozime për pagën minimale: njëri 264 euro dhe tjetri 300 euro.
Propozimet janë dhënë nga komisioni për çmime brenda Këshillit Ekonomik Social, por asnjëri nga to nuk ka kaluar. Nevojiten së paku 2/3 e votave të këshillit 15-anëtarësh që një propozim të kalojë.
“Ne nuk kemi votuar as për, as kundër. Këshilli Ekonomik Social mblidhet një herë në muaj; do të takohemi përsëri dhe do të diskutojmë përsëri rritjen e pagës minimale”, thotë Hykolli, i cili është edhe kryesues i Këshillit Ekonomik Social.
Në të kaluarën, nga sindikata e tij është thënë se paga minimale duhet të jetë jo më pak se 300 euro.
Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, në një postim në Facebook më 10 mars, ka njoftuar se propozimi për rritje të pagës minimale ka dështuar, duke thënë se ai nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e sindikatave.
Murati ka thënë se Këshilli Ekonomik Social ka propozuar pagë minimale prej 240 eurosh në muaj, ndërsa Qeveria ka propozuar 1.5 euro për orë, apo 264 euro në muaj.
“Krejt çka arrihet me këtë mosvotim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, ka thënë Murati më 10 mars.
Punëdhënësit: Paga minimale 250 euro
Nga Aleanca Kosovare e Biznesit, e cila në Këshillin Ekonomik Social përfaqëson bizneset, thonë se Këshilli ka ardhur në përfundimin se paga minimale duhet të jetë 250 euro neto.
Por, Lumnije Ajdini, nga kjo aleancë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo vlerë është kundërshtuar nga përfaqësuesit e punëtorëve.
“Për ne, si punëdhënës, atë ditë më 10 mars, do të ishte votuar paga minimale, por nuk është votuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës; 250 euro mund të jenë pak, por duhet kuptuar se kjo është minimale, pasi që punëtorët në sektorin privat kanë rroga më të larta”, thotë Ajdini.
Sa kushton shporta mujore e konsumatorit?
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se në bazë të një analize të bërë, shporta mujore e një familjeje katëranëtarëshe në Kosovë, kap vlerën prej 470 eurosh.
Sipas tij, propozimet për pagën minimale janë të papranueshme.
“Pagesa e energjisë, shërbimet komunale, transporti, ushqimi e gjërat tjera bazike – të gjitha këto, duke nxjerrë minimalen e shpenzimeve jetësore, kushtojnë 470 euro. Këtu janë llogaritur vetëm gjërat elementare”, thotë Azemi, organizata e të cilit nuk është pjesë e Këshillit Ekonomik Social.
Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat.
Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me mbi 220 mijë punëtorë.
Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë.
Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro.
Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.