Krejt çka duhet të dini rreth tërheqjes së 10 përqindëshit dhe rimëkëmbjes ekonomike
Të premten, Kuvendi i Kosovës pas dhjetëra tentimesh, ka miratuar me 72 vota pro dhe asnjë kundër, Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Me miratimin e këtij projektligji, i hapet rrugë edhe tërheqjes së 10 përqindëshit të kursimeve nga Trusti. Por, kush do të përfitojë nga ky projektligj dhe cilat do të jenë procedurat për tërheqjen e kursimeve?
Nëpërmjet këtij ligji reduktohet norma e TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi, largohet TVSh për lëndën e parë të prodhuar në Kosovë si dhe lirohen nga TVSh transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi.
Janë gjithsej 212 milionë euro të cilat qytetarët do të mund t’i tërheqin nga Trusti Pensional i Kosovës.
Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë së rimbursimit që vendoset me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe Fondin e Kursimit Pensional të Kosovës në afatin prej gjashtë muajsh nga miratimi i këtij ligji.
Po ashtu nga kjo rimëkëmbje do të përfitojnë edhe për bizneset që eksportojnë lëndë.
Lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.
Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.
Nga buxheti i Kosovës, do t’u paguhen punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.
Sqarimi i Trustit
Fondi i Kursimeve Pensionale ka dal me një sqarim pas miratimi të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Trusti ka bërë me dije se ata janë të obliguar që të presin që ky projektligj të nënshkruhet nga Presidenti i vendit e të publikohet në Fletoren Zyrtare që më pas të lejojnë aplikimin.
Menjëherë pasi ligji të hyjë në fuqi, Trusti thotë se do ta bëjë të ditur uebfaqen ku do të mund të aplikohet për 10%-shin si dhe do të japin detajet për aplikim.
Por, Trusti bën me dije që të gjithë kontribuuesit e interesuar për tërheqjen e këtyre mjeteve ta kenë parasysh që:
1) Aplikimi për tërheqjen e 10%-shit do të bëhet vetëm përmes internetit (do të jetë një uebfaqe e veçantë, që do ta bëjmë publike sapo të hyjë ligji në fuqi) dhe jo fizikisht në zyrën e Trustin.
2) Aplikimi për tërheqje mund të bëhet nga çdo kontribuues që ka mjete në Trust.
3) Aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari bankare aktive personale në Kosovë (jo me llogari bankare të familjarit apo kujtdo tjetër).
4) Aplikimi me llogari bankare jashtë Kosovës nuk mund të bëhet.
5) Aplikimi me llogari bankare të biznesit nuk mund të bëhet.
Cila është procedura për tërheqjen e 10 përqindëshit?
Procedurën për tërheqjen e këtyre mjeteve e kishte shpjeguar javë më parë zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.
“Trusti ka përgatit një platformë online që po besojmë që të jetë gati brenda dy javëve. Procedura është e thjeshtë. Vendoset numri personal në ëeb faqe dhe numri i xhirollogarisë dhe pastaj verifikohet me Bankën Qendrore të Kosovës dhe paratë e Trustit do të dalin në xhirollogaritë e njerëzve që janë përfitues, rrjedhimisht që aplikojnë dhe për tri ditë iu dalin paratë në xhirollogari”, ka thënë Tahiri.
Tahiri kishte theksuar se këto para nuk mund të tërhiqen derisa të hyjë në fuqi ligji, të nënshkruhet nga presidenti dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Procedura e aplikimit për tërheqjen e kursimeve do të jetë online.
“Procedura e aplikimit do të jetë e thjeshtë. Do të jepet numri personal dhe i xhirollogarisë, kjo verifikohet nga BQK-ja dhe paratë e Trustit, 10 për qindëshi do të jetë në xhirollogari të përfituesit, atij që aplikon”, kishte bërë të ditur Tahiri.