Nait Hasani: Plagët e shpirtit ishin më të rënda sesa plagët nga plumbi e vuajtjet fizike
Rrëfime nga i burgosuri e i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.
Në këto rrethana që ishim filluan të na vijnë letra nga familjet dhe paketa me tesha e ushqime nga posta e Fushë – Kosovës, por dhe nga Presheva e Bujanovci. Mua me vinin paketa nga Bujanovci nga Fitore Limani. Dhe një ditë prej ditësh më pyeten kush është kjo vajzë që po të dërgon paketa, u thash që e kam familjare. Unë nuk e dija as kush është as asgjë për të, (Ajo kishte qenë fëmijë pesë vjeçar, vajza e Murtez Limanit, që familjen e kishte lënë në Bujanovc e vetë kishte dalë në Gjilan duke i ndihmuar luftës së UÇK-së e UÇPMB-së ).
Letrat i lexonim nga dy e tre e katër here, për të heqë mall dhe folur me anë të letrës me familjen, me gruan, të fejuarën apo fëmijët. Dhe kur shkruanim letra për familje po ashtu duhej të kujdeseshim për censurën, mos të shkelnim rregullat e bënim ndonjë gabim dhe të tregonim se po na rrahin apo jem pa buke, etj. Sepse nëse shkruanin këto gjëra në letër atëherë letrat do të ndaleshin dhe nuk kalonin as nga zyra e “Zapovednikut” si dhe më pas merreshin masat me dërgim në qeli dhe po ashtu ndëshkimi fizik ishte prezentë. Në dhomë kishim mundësi me shkrua vargje vjershe, ndonjë tregim etj. Po çështja ishte se edhe nëse i shkruanim si me i qitë jashtë burgut për të arritur në duart e familjarëve tanë. Duhej gjet dhe këto mundësi.
Mundësia me i fshehë në tesha ishte e mirë, por rreziku me t’i gjet ishte i madh dhe pastaj do të kishte pasoja të rënda nga gardianët. Me metafora me i shkrua në formë letre, ishte një mundësi dhe këtë e përdorem për të shpreh ndjenjat tona e këto ndenja me dalë jashtë mureve të burgut. Me shokë aty i ndihmonim njeri tjetrit dhe në lexime dhe komente dhe redaktime të vjershave e tregimeve. Kishim çka shkruanim sepse ende plagët nuk na ishin shëruar nga masakra. Plagët e shpirtit ishin më të rënda se plaga fizike. Dhe shërimi vinte vetëm nga shprehja në vargje e tregime. Kështu që burgu na bëri dhe më të ndjeshëm me rrapëllimat e çelësave që kërcitnin nëpër dyer kur e kapnin shkopin ndëshkues që na disiplinonte. Kohën e kalonin nga mëngjesi deri në darkë deri kur binte zilja e mbrëmjes, ne ishim të zgjuar pa guxuar me i mbyllë sytë për asnjë çasti. Ditët kalonin e torturat në vazhdimësi herë më shumë e herë më pak na u bënë rutinë. Gardianët ishin në nivel të detyrës.
Ndërrimin e vitit (Mileniumin) e pritëm në dhomën e burgut, me shumë shokë që ishim dënuar dhe të tjerët. Shokët në shumë raste nga frika bëheshin të padurueshëm më shqetësimin që krijonin dhe shumë herë shihnin besa edhe ëndrra dhe bërtitnin pavetëdijshëm natën. Një ditë prej ditësh, dikujt aty në dhomën tonë në paketën e ushqimit i erdhi një shah dhe domino. Dhe nga ai moment ne kishim bile me çka të humbnim kohë. Aty luanim me ndërrime që do të thotë se të gjithë luanim ose fituesi rrinte në lojë e ne të tjerët ndërroheshim. Kështu e kalonim ditën sepse ne pushim dhe shëtitje jashtë nuk kishim përpos që ecnim deri në kuzhinë për të ngrenë ushqimi dhe u kthenim në birucën tonë.
Dikur patën filluar të vijnë avokatët me i vizituar të burgosurit, ata avokat i kishin angazhuar ose familjet tona ose i kishte angazhuar Fondi për të Drejtat e Njeriut me seli në Beograd. Këta avokatë vinin për të na dhënë vullnet dhe shpresë neve të burgosurve. Avokatët ishin edhe Shqiptar dhe Serb dhe e kryenin punën e tyre të tregtarëve, duke u premtuar të burgosurve se së shpejti do t’i lirojnë. Dhe atë ditë të burgosurit ishin të gëzuar se do te lirohen. Po ikte dita dhe ditët e të burgosurit ende ishin aty bashkë me mua. Avokatët u premtonin shokëve se u kanë dërguar letra lirues, organeve shtetërore serbe dhe që ato kërkesa do të merren seriozisht dhe që do të lirohen të gjithë. Të burgosurit pasi u ndanin nga avokatët vinin dhe më pyesnin mua se athu a mundet ky apo ai avokat me më liruar, dhe unë i njoftoja se tani jemi pengje dhe fjalët e avokatëve janë të mira për mëngjes por deri në darkë ato shuhen.
Po ashtu u thoja se tani do të ketë negociata dhe biseda të ndryshme në interesa të shteteve, dhe Serbia dëshiron t’i realizojë qëllimet e veta politikë. Për këtë arsye unë i lutesha të burgosurit që të mos i shpenzojnë familjet e tyre duke i paguar avokatët kinse për lirimin e tyre sepse ata në Kosovë ndoshta nuk e kanë gjendjen e mirë dhe janë djegë me pasuri e me çka kanë pas. Por disa edhe u lironin nga këta avokatë pasi paguanin shuma të mëdha të parave dhe shpalleshin të pafajshëm. Dhe nga aty filloj të bëhet lirimi i të burgosurve si biznes i leverdishëm me ndërmjetësueses ligjor.
Pas një kohe u duk se ishin lodh duke me mbajte në vëzhgim, donin dhe të më ndëshkonin më shumë. Ma ndërruan dhomën dhe më vendosen në një dhomë afër tyre. Për shkak të kohës së gjatë në burgje dhe që isha pothuajse më i vjetri në dhomën që më vendosën, sepse të tjerët ishin të rijnë edhe në moshë por edhe që ishim me më pak përvojë në burg, më thanë që të bëhem përgjegjës i dhomës, unë nuk pranova që të bëhem, dhe këtë e morën si pretekst që unë të marrë rrahje të jashtëzakonshme. Në dhomën numër tre ishim 90 vetë, me shumë se në dhomën tjetër, këtu dhoma ishte si stallë kafshësh, avullonte e djersinte nga ajri i nxënë, po mos t’i mbajtshim hapur natën dritaret në mes të acarit, ngulfateshe.
Kur më vendosën në atë dhomë, filluam të njoftohemi me të burgosurit tjerë se kush jemi dhe nga jemi. Të burgosurit u afruan me më përshëndet dhe biseda e parë në mes nesh ishte se a jam i dënuar dhe nëse po sa jam i dënuar. Kur unë u tregova që jam i dënuar 20 vite burg ata të shkretit u stepen dhe më për një kohë nuk pat biseda më. Me shikuan me dhembje. Dhe e mendonin ne vete fatin e tyre. Mundësit e dënimit dhe mundësin e lirimit me Pagesë.
Sapo kishim filluar Mileniumin e trete dhe ne ishim skllav të pushteti dhe peng të shtetit Serb. Ishte muaj janar – shkurt i vitit 2000, dimër dhe acar, akulli vinte deri te dritarja. Të ftohtit të ngrinte në palcë, kjo vinte dhe nga keq ushqyerja. Po tashmë thuaja se kishim bërë tesha të mjaftueshme dhe nga dy batanije kështu që ia dilnim mbanë. Në një qoshe në anën e majtë të dhomës nga dera afër dritares me vendosen mua. Dhe aty pash shumë të burgosur të ri. Ishin të ri dhe fëmijë, të njomë me fytyra të padjallëzuara. I kishin marrë në qytete të Kosovës e fshatra. 16 vjeçar ishte njeri, e ky ishte Xhevati, Xhevat Podvorica. Në dhomë të gjithë e këqyrnin me admirim si fëmijë. Xhevati ishte afër meje dhe kur binim me fjetë e mbuloja natën që të mos i vie ftohtë kur shplohej. Ishte i urtë i njomë dhe i thatë, trup imtë, po i gjatë tamam, akoma pa i dal qimet në fytyrë. Afër meje sikur e ndjeu dhe sigurinë shpirtërore. Ja vura dorën në krahë dhe i thash që mos të mërzitet se do të bëhet mirë. Dhe kështu me muaj ishim bashkë me të e shumë aty në dhomë. Aty në dhomë kishim edhe të plagosur që nuk mund të ecnin dhe u binin ushqimin në dhomë.
Pas ca kohe në një bisedë e sipër me një të burgosur që na sjelltë ushqimin, kur nuk ishte gardiani afër i kërkova gazeta në kompensim të duhanit. Ai merrte gazetën e fuste në bukë dhe na binte brenda. Ne ja jepnim duhanin. Gazetën e lexoja shpejt në banjo dh e lëshoja në shole. Dhe ishim të njoftuar thuaja në dhomë të gjithë për atë që lexonim dhe që shkruante kjo medie. Por një ditë kishte rrjedhur fjala te gardianët se po marrim gazeta dhe atë unë po e merrja me bukën që binte kuzhinieri serb. Kishin përgatitë planin ata, të më zinin me pelë për dorë. Erdhi kuzhinieri e na solli bukën, ja dhamë duhanin, e morra gazetën “Blic” dhe pa diktuar askush në dhomë shkova ne WC u ula në shole dhe lexova gazetën shpejt dhe lëshova ujin e ika me vrap te vendi ku flinim. Në çaste me rrëmbim u hap dera. Hynë gardianët duke bërtite mos lëvizni e drejt e tek unë. Ngjallën frikë te të tjerët. Unë nuk lëviza fare, më morën teshat dhe me kontrolluan rreth dyshekëve aty ku flija dhe me tesha më morën edhe mua e dolëm në korridor.
Kontrolluan në çdo vend si dhe duke më pyetur se çka po lexon. Një libër në serbisht u thashë, atë kisha. Kur nuk gjetën asgjë u bënë shumë nervoz dhe më dhanë disa të rëna me dajak e më futen brenda në dhomë. Shkova te vendi im, e ndreqa vendin dhe fillova sikur s’ka ndodhur gjë, fillova të lexoja në serbishte librin. Xhevati u ndje keq dhe u frikësua shumë. Por unë kisha kaluar këso raste sa e sa herë dhe për mua ishin rutinë. Në dhomë ishim krejt shqiptar por kishte edhe shqiptar të lig. Ishin të lig në shpirt. Flisnin e rrinin me ty, dhe në mënyra të ndryshme ia arrinin qëllimit që të bënin spiunim. Por sa herë binim për të fjetur Xhevatin e merrja afër, e mbaja afër, e kujdesesha me ato që kisha dhe mundohesha që mos të pëson trauma. Nga jashtë porositem libra të kursit të gjermanishtes dhe ditën mësonim bashkë.
Nuk shkoj shumë kohë dhe filluan protestat në Serbi. Masiviteti i tyre ishte i madh. Masa popullore e opozitës e kryesuar nga Zoran Xhinxhiq e tjerë dukej se dëshironin ta fitonin betejën. Ne Serbi priteshin ndryshimet dhe atë shumë shpejtë. Pas disa ditë proteste, ra pushteti i Millosheviqit, Kjo tregoi se ashtu siç kishte ardhur me protesta në pushtet dhe me protesta po binte nga pushteti. Ai u izolua në rezidencën e tij në Beograd. Ne e ndjenim çdo ndryshim në burg. Sapo ra nga pushteti Millosheviq edhe neve në burg filluan të na i zbutnin masat ndëshkuese. Thuaja se filloj të ndalet dhuna. Filluan me shumë vizita të avokatëve duke u dhënë prapë shpresa të burgosurve që të blejnë lirinë me tyre. Por edhe neve na dhanë mundësinë që të blejmë një televizor dhe shporet elektrik për qaj e kafe.
I blemë edhe televizorin edhe një shporet. Aty shikonim lajmet e që fatkeqësisht kishim mundësinë të shihnim RTS-së e Serbisë. Aty pamë një paraqitje të Adem Demaçit në televizion e “Kariqve”, një intervistë shumë e guximshme ku me një fjalor të pastër argumentonte krimet serbe në Kosovë. Mirëpo ne edhe pse e patëm blerë televizorin që të jemi të informuar për situatën politike që ishte, disa të burgosur që i kishim aty e që fatkeqësisht siç thotë një fjalë popullore “I kanë arrestuar sikur kur të merr kombajna grurin”, atyre fare nuk u interesonte politika e as lajmet, ata kishin dëshirë me shikuar vetëm filma dhe këtë edhe e bënin.