Në fshatin Korishë është mbajtur dëgjim publik për buxhetin e vitit 2023 me banorë të fshatrave të Rajonit të Podgurit

Në fshatin Korishë dje, është mbajtur dëgjim publik për buxhetin e vitit 2023 me banorë të fshatrave të Rajonit të Podgurit.

Të pranishëm ishin Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, nënkryetari Kujtim Gashi, Antigona Bytyqi kryesuese e kuvendit komunal, drejtorë dhe zyrtarë komunal.

Në hapje të dëgjimit publik, Ymer Berisha, shef i njësisë për marrëdhënie me publikun ka thënë se jemi këtu që t’i marrim kërkesat tuaja dhe më pas ato të hyjnë në buxhetin e komunës për vitin 2023.

Kryetari Shaqir Totaj në fillim të dëgjimit falënderoi banorët pjesëmarrës duke thënë “E di që kërkesat janë të mëdha, por së bashku do t’i rendisim kërkesat sipas prioriteteve që ju i vendosni dhe pastaj, kur të përgatitet buxheti final ato kërkesa të bëhen pjesë e buxhetit për vitin 2023. Ju them se nuk do të ketë preferenca në futjen e kërkesave në buxhetin e vitit 2023, por kërkesat do të bazohen në prioritetet që ju i keni”.

Kërkesat e banorëve: Rregullimi i kanalizimit, rregullimi i rrugëve me kubëza, rregullimi i shtratit të lumit, rregullimi i ndriçimit publik, sinjalizimi vertikal-horizontal, rregullimi-zgjerimi i rrugëve dhe kanaleve fushore, ambulanta të jetë me dy ndërrime, evitimi i problemit me shtylla elektrike, rregullimi i mureve mbrojtës, vendosja e pengesave në rrugë për ngadalësimin e shpejtësisë, rregullimi i AMF-së, mbulimi i terrenit sportiv, rregullimi i oborreve të shkollave dhe rregullimi i kabineteve në shkolla.

Grupi punues i formuar me vendim të Kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, ka përgatitur një dokument të veçantë të buxhetit dhe ndarjeve buxhetore në pika të shkurtra me ç’rast, iu shpërnda të gjithë të pranishmëve.

Për mbajtjen e këtij dëgjimi publik do të përgatitet raport dhe procesverbal, i cili do të publikohet në ueb faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit, në afatin ligjor, në rubrikën “dëgjime buxhetore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *