Policia jep detaje për aksidentin e ndodhur dje në Prizren, ku vdiq një këmbësor

Një aksident i rëndë në trafik ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00 në fshatin Randobravë të Prizrenit, ku një veturë ka goditur për vdekje një këmbësor.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku bëhet e ditur se viktima është i gjinisë mashkullore, teksa vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar.

“Ka ndodhë një aksident trafiku në mes të një automjeti me ngasës mashkull kosovar dhe këmbësorit mashkull kosovar. Si pasojë e aksidentit këmbësori ka ndërruar jetë”, thuhet në raport.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është dërguar në mbajtje.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse dhe mjekësia ligjore të cilët kanë marrë trupin e pajetë për Obduksion. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet më tej në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *