Prizrenasit i ngrihet aktakuzë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.K., i cili gjendet në paraburgim nga data 29.01.2022 për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se sipas aktakuzës, me datë 29.01.2022, rreth orës 16:00 në Prizren, i akuzuari S.K., pa autorizim posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi policia në afërsi të lagjes ‘Bazhdërhane’ në Prizren, ndalon automjetin e markës ‘Citroen C3’, ngjyrë hiri metalike, të cilin ishte duke e drejtuar i pandehuri, me ç’rast pas kontrollit fizik të automjetit, tek ulësja e pasagjerit i është gjetur dhe sekuestruar një qese najloni e mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 1152.82 gram.
Pas zbatimit të urdhër-kontrollit në lokalin e tij i cili gjendet në Prizren, në një bunker të improvizuar brenda lokalit policia arrin të gjejë dhe sekuestrojë:
-Nëntë qese najloni të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë gjithsej 8.883.38 gramë;
-Disa qese plastike të cilat kanë qenë të destinuara për paketim të lëndëve narkotike.
Po ashtu, pas zbatimit të urdhër-kontrollit tek shtëpia e tij në Prizren, Policia arrinë të gjejë dhe sekuestrojë:
-Dy lule me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 1.88 gramë.
Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka përmbushur elementet e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.