Thirrje për drejtësi edhe në 21 vjetorin e përkujtimit të vrasjes së Ekrem Rexha- Komandant Drini

Të shtunën, me rastin e 21 vjetorit të vrasjes së Ekrem Rexhës- komandant Drini, janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në fshatin Landovicë të Prizrenit dhe në Memorialin e tij që ndodhet para Shtëpisë së Bardhë. 

Në 21 vjetorin e vrasjes, është nderuar jeta dhe vepra e heroit të Kosovës, Ekrem Rexhës- komandant Drini, nga familjarë të tij, bashkëluftëtarë, qytetarë, si dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Bashkëshortja, Hajrije Rexha dhe djali Drini, thonë se në këtë përvjetor, me emocione të përziera mes mallit e krenarisë e kujtojmë komandant Drinin, i cili përkundër sakrificës mbinjerëzore në shërbim të çlirimit të vendit, padrejtësisht është vrarë në Kosovën e çliruar.

Bashkëshortja dhe djali i komandant Drinit, edhe në këtë përvjetor bëjnë thirrje për drejtësi, dhe  autorët e vrasjes të marrin dënimin e merituar.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se veprat e komandant Drinit gjatë luftës së UÇK-së dhe angazhimet e tij në Kosovën e pasluftës, janë shembull i një figure të lartë që ka buruar nga populli ynë i shumë përvuajtur, dhe apeloi tek organet kompente që të zbardhin rastin e vrasjes së tij, dhe kriminelët të vihen para drejtësisë.

Zbulimin e vrasësve të ish komandantit të tij dhe ideatorit të themelimit të Asociacionit të Veteranëve të UÇK-së në Prizren , e kërkoi edhe sekretari i kësaj organizate, Isa Berisha.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, e vlerësoi lartë figurën e komandant Drinit në shërbim të luftës për çlirimin e Kosovës.

Ndryshe, komandant Drini, është vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë në Prizren./ Tv Prizreni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *