RRUGA QË LIDH TRANSITIN E RI ME AUTOSTRADËN, SËRISH SHNDËRROHET NË DEPONI ILEGALE

Rruga që lidh transitin e ri me Autostradën në Prizren në gjatësi rreth 1 km, sërish është shndërruar në deponi ilegale, pasi ishte pastruar vitin e kaluar.

Qytetarët dhe ambientalistët janë të shqetësuar për gjendjen e krijuar, ndërsa kryetari Haskuka thotë se do të gjendet zgjidhje për këtë problem.

Egzon Bajrami, Bashkim Gashi dhe Agron Mazreku, shpesh lëvizin në rrugën që e lidh transitin e ri me Autostradën.

Por, rruga e dëmtuar e në veçanti e mbushur me mbeturina nga më të ndryshmet dhe kafshë të ngordhura të hedhura nga qytetarë të pandërgjegjshëm, për ata është mjaft shqetësuese.

Inxhinierja e mjedisit, Meral Bakiq nga OJQ ” Ec ma ndryshe”, thotë se mbeturinat e hedhura në këtë rrugë po i shkaktojnë dëme të shumta ambientit duke paraqitur edhe rrezik për shëndetin e njerëzve, shprehet e shqetësuar ajo.

Ajo gjithashtu thotë se është shqetësuese që Kosova nuk ka sistem në menaxhimin e mbeturinave. Në anën tjetër, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, thotë se krijimi i deponive ilegale përfshirë edhe këtë rrugë është një brengë që e prekupon jo vetëm atë.

Në këtë rrugë ne kemi intervenuar vitin e kaluar, dhe kemi larguar 650 tonë mbeturina, mirëpo pas pak kohësh rruga sërish vërshohet nga mbeturinat kryesisht inerte që hidhen nga kompanitë e ndërtimit, theksoi ai.

Qytetarët apelojnë tek institucionet që të rregullojnë rrugën përmes ndonjë projekti dhe të largojnë mbeturinat, për t’i dhënë fund shqetësimeve të tyre.

E kryetari Haskuka, thotë se do të angazhohet maksimalisht në jetësimin e një projekti për këtë rrugë të nisur në vitin 2019 nga ministria e Infrastrukturës, e që fatkeqësisht është neglizhuar nga qeveritë e mëparshme.

Për këtë vit do angazhohem në fillimin e realizimit të këtij projekti, por dhe të zgjidhjes së problemit në tërësi, që në këtë rrugë mos të hudhen më mbeturina dhe keqbërësit të ndëshkohen, tha ai.

Deri sa të gjendet një zgjidhje, kjo rrugë tashmë ka marrë formën e një deponie ilegale ku vazhdimisht hudhen mbeturina nga persona e kompani të papërgjegjshme./Tv Prizreni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *