Filloi shpërndarja e druve për disa kategori të luftës dhe familjet skamnore në Prizren

Drejtuesit më të lartë të komunës dhe shoqatave të dala nga lufta në Prizren, të hënën kanë inspektuar rrjedhën e shpërndarjes së druve për kategoritë e dala nga lufta dhe familjet skamnore.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka i shoqëruar nga drejtori për Mirëqenie Sociale, Islam Thaçi, dhe kryetari i SHFD, Xhevit Berisha, të hënën në hyrje të fshatit Piranë kanë inspektuar shpërndarjen e druve për disa kategori të luftës dhe familjet skamnore.

Kryetari Haskuka, tha se edhe këtë vit komuna po i gjendet afër kategorive të caktuara për t’i mbështetur me lëndë djegëse për ngrohje, si dhe për t’iu lehtësuar vështirësitë e tyre për shkak edhe të gjendjes së krijuar nga pandemia Covid-19.

Drejtori i Mirëqenies Sociale, Islam Thaçi, tha se nga 3 metër dru janë duke iu shpërndarë 213 familjeve të dëshmorëve, ndërsa 211 familjeve të invalidëve të luftës do të iu shpërndahen nga java e ardhshme, kurse përfituese janë edhe 276 familje skamnore nga skema sociale, njoftoi ai, duke shtuar se është dyfishuar numri i familjeve përfituese këtë vit.

Kryetari Haskuka dhe drejtori Thaçi, thanë se së shpejti do të ndihmohen kategori të ndryshme dhe familje skamnore në radhë të parë, me pako ushqimore dhe higjienike në kuadër të fazës së tretë për këtë vit prej se ka filluar pandemia, njoftuan ata.

Kostoja e përgjithshme e shpërndarjes së druve ka qenë 77 mijë e 450 euro,ndërsa pritet që më këto lëndë djegëse të furnizohen edhe disa institucione të cilat ofrojnë shërbime dhe përkujdesen për kategori të ndryshme të shoqërisë, njoftuan në fund drejtues të DMS-së./Tv Prizreni/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *