Dy talentë nga Prizreni për Kombëtaren U-19

Seleksionimet e ekipeve Kombëtare të moshave me lojtarë të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar dhe jo vetëm kanë vijuar edhe sot. Elementët e përzgjedhur të datëlindjes 2004 janë paraqitur në kompleksin Internacional në Pezë Helmës për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit të ekipit Kombëtar U-19, Armando Cungu.

Të pranishëm në këtë seleksionim, përveç trajnerëve të ekipive Kombëtare U-17, Ervin Bulku dhe trajnerit U-18, Ardi Behari, kanë qenë edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, drejtori teknik i FSHF, Giancarlo Camolese, zv.trajneri i Kombëtares, Sergio Porrini dhe pjesëtarë të departamentit të ekipeve Kombëtare në FSHF.

Mes këtyre talentëve, binë në sy dy pjesëtarë të ekipit FC Prizrenit, një ekip i ri i ndërtuar së fundmi me mjaft sukses nga Bekim Bakaj, trajnerit të përkushtuar nga qyteti kosovar.

Lirigzon Elshani dhe Andi Sadriu po tregojnë se e meritojnë të jenë pjesë e kuqezinjve e kësaj grupmoshe ashtu si bashkëmoshatarët e tjerë nga Shqipëria. Elshani luan në qendër të mbrojtjes dhe mban numrin 5, ndërsa Sadriu i denjë për numrin 9 në sulm.

Trajneri i kombëtares U-19, Armando Cungu, ka vlerësuar nivelin e lojtarëve të rinj, por ka theksuar se duhet bërë një punë edhe më e madhe që këta lojtarë të përmirësohen në të ardhmen.

“Është shumë e rëndësishme prezenca e trajnerit Reja, për t’i dhënë dhe seriozitetin dhe rëndësinë e duhur strukturës së Kombëtares shqiptare U-19. Prezenca e tij është e rëndësishme për të na dhënë të kuptojmë që vijueshmëria do të jetë e garantuar për sa i përket interesit për këta djem. Prandaj, prania e tij është kuptimplotë, jo vetëm për ne si trajnerë, por edhe për sportistët”, – tha tekniku kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *